Flows

Raporti Iniciues – Diga e Kamenicës

Kompania e përzgjedhur në tender, bëri prezantimin e Raportit Iniciues për Rezervuarin e Ujit në Sistemin Kikë – Kremenatë (Digën e Kamenicës).

Projekti në fjalë, i cili financohet përmes kredisë nga Banka Botërore dhe zbatohet nga Ministria e Mjedisit, Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, është jetik për të adresuar nevojat e furnizimit me ujë, kontrollin e përmbytjeve, dhe të tjera sfida të lidhura me menaxhimin e burimeve ujore.

Bazuar në Ligjin për Ujërat dhe politikën e Ministrisë për ndërtimin e projekteve hidroteknike për furnizimin me ujë të pijshëm, është prezantuar ideja e projektimit dhe ndërtimit të një dige, respektivisht të një akumulacioni uji me shumë qëllime për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Kamenicës dhe më gjerë, mbrojtjen kundër vërshimeve, furnizimi me ujë për ujitje të tokave bujqësore në komunën e Kamenicës, shfrytëzimin e ujit për qëllime ekonomike, rekreative dhe industriale.

Ideja për studimin e këtij projekti ka lindur nga Masterplani i Ujit dhe dokumenti Hidroekonomia e Ujërave të Kosovës të vitit 1985 dhe dokumente të tjera strategjike të ujit. Bazuar në topografinë e terrenit dhe zbulimin e terrenit në pellgun e lumit Desivojca, u identifikuan tre vende alternative për realizimin e një akumulacioni uji: Kremenata, Desivojca dhe Hogosht.