Në kuadër të Projektit FLOWS, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Banka Botërore dhe kontraktorit të përzgjedhur, është mbajtur takimi fillestar për projektin “Dizajni i Detajuar për Digën e Kamenicës” dhe Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe Shoqëri. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të një investimi strategjik në sektorin e ujit dhe zhvillimin rajonal.
Projekti parasheh hartimin e dizajnit për një digë të tipit RCC, me lartësi rreth 58 metra dhe gjatësi 184.5 metra. Rezervuari do të ketë kapacitet prej afërsisht 5.9 milion metra kub, ndërsa sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës pritet të arrijë rreth 0.4 kilometra katrorë.
Komponentët e projektit përfshijnë edhe ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse, si rrugët lidhëse dhe qasjen në digë, si dhe zhvillimin e impiantit për trajtimin e ujit, kanalit të ujitjes dhe një mini hidrocentrali.
Projekti zbatohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetje financiare nga Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Synimi kryesor është rritja e sigurisë së furnizimit me ujë të pijshëm, përmirësimi i ujitjes dhe menaxhimi më efikas i përmbytjeve.