Flows

FLOWS organizon trajnim teknik për sigurinë e digave në Kosovë

Në kuadër të përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale në sektorin e ujërave, FLOWS (Fostering and Leveraging Opportunities for Water Security) po organizon një trajnim teknik dhjetëditor për sigurinë e digave, në bashkëpunim me ekspertët e kompanisë iPresas Risk Analysis.

Trajnimi, i cili zhvillohet gjatë dy javëve në Prishtinë, synon të avancojë njohuritë dhe kapacitetet profesionale në fushën e sigurisë së digave, duke trajtuar aspektet kryesore të vlerësimit, monitorimit, operimit, mirëmbajtjes dhe menaxhimit të rreziqeve.

Gjatë javës së parë, programi është përqendruar në disa fusha kryesore tematike: kornizën e sigurisë së digave dhe gatishmërinë për emergjenca, operimin dhe mirëmbajtjen, inspektimin dhe vlerësimin e sigurisë, si dhe mbikëqyrjen dhe vlerësimin e sjelljes së digave.

Pjesëmarrësit kanë trajtuar kornizat rregullative të Kosovës dhe Spanjës, klasifikimin e digave, procedurat operative dhe planifikimin e mirëmbajtjes. Vëmendje e veçantë i është kushtuar identifikimit të defekteve dhe shenjave të paralajmërimit të hershëm, planifikimit të inspektimeve dhe përdorimit të instrumenteve për monitorimin e parametrave teknikë, përfshirë piezometrinë, filtrimin, zhvendosjet dhe presionet.

Një komponent i rëndësishëm i trajnimit është edhe dimensioni praktik. Përveç diskutimeve teknike dhe ushtrimeve praktike, programi përfshin vizita në terren në diga funksionale në Kosovë, duke u mundësuar pjesëmarrësve të ndërlidhin njohuritë teorike me aspektet praktike të inspektimit dhe monitorimit të digave.

Gjatë javës së dytë, trajnimi do të vazhdojë me tema që përfshijnë vlerësimin cilësor dhe sasior të rrezikut, identifikimin e mënyrave potenciale të dështimit, menaxhimin e rrezikut dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike. Programi do të përfshijë gjithashtu raste praktike, analiza dhe një ushtrim të integruar për të konsoliduar njohuritë e fituara gjatë trajnimit.

Përmes kësaj nisme, FLOWS synon të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme profesionale dhe institucionale në fushën e sigurisë së digave në Kosovë. Forcimi i praktikave të inspektimit, monitorimit, mirëmbajtjes dhe menaxhimit të rrezikut është thelbësor për rritjen e sigurisë së infrastrukturës ujore dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sektorit të ujërave.