Më datë 17 tetor 2023 u organizua takimi konsultativ publik nga KRU “Hidromorava”, ku së bashku me menaxhmentin e projektit “FLOWS” u diskutua për projektimin e zgjerimit dhe rehabilitimit të rrjeteve të ujësjellësit në komunën e Gjilanit dhe Kamenicës.
Qytetarët dhe bizneset e zonës së Gjilanit dhe Kamenicës ishin ftuar të shprehin idetë dhe shqetësimet e tyre lidhur me investimin në projektimin e zgjerimit dhe rehabilitimit të rrjeteve të ujësjellësit në këtë rajon.
FLOWS dhe Hidromorava zhvilluan këtë debat publik me qytetarët të cilët janë përfituesit kryesorë të investimeve në Hidromoravë por edhe me personat e prekur nga projekti pasi që investimet do të kërkojnë punë fizike që mund të ndikojnë në funksionimin e përditshëm dhe procesin e jetesës së qytetarëve.
Në takim u bë një hyrje e shkurtër rreth projektit dhe e njëjta u ilustrua plotësisht për lehtësinë e të gjithëve. Gjithashtu, u shpjegua traseja e ujësjellësit ku do të bëhen zëvendësimet e gypave dhe qytetarët u siguruan se punimet do të organizohen në atë mënyrë që do të ndikojë minimalisht në jetën dhe rutinën e përditshme si të qytetarëve ashtu edhe të bizneseve vendase.
Në pyetjet e qytetarëve të pranishëm, zyrtarët shpjeguan, se kjo është në dobi të tyre dhe po bëhet që të gjithë të lidhen legalisht dhe në mënyrë efikase në gypin ujësjellës.
Gjithashtu, u bë e qartë se gjatë procesit të punës, të gjitha pronat e prekura (trotuare, gardhe etj.) do të zëvendësohen nëse dëmtohen dhe do të sillen në fazën fillestare.