Flows

Banka Botërore dhe FLOWS realizuan vizitë monitoruese në Gjilan

Një mision i Bankës Botërore, i udhëhequr nga Carole Megevand — Menaxhere e Bankës Botërore për Kosovë — së bashku me Ekipin e Zbatimit të Projektit FLOWS, zhvilluan një vizitë në terren në Përlepnicë dhe Gjilan për të monitoruar progresin e punimeve në infrastrukturën e ujësjellësit.

Vizita përfshiu inspektimin e rezervuarit të ujit në Gjilan, stacionit të pompimit në Velekincë, si dhe linjës kryesore të ujësjellësit dhe sistemit të klorifikimit në Përlepnicë. Këto investime janë pjesë e përpjekjeve të gjera për të përmirësuar infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe për të siguruar qasje të qëndrueshme në ujë të pijshëm për komunitetin.

 

Pikat kryesore të vizitës

Velekincë – Stacioni i Pompimit
Janë përfunduar punimet për zëvendësimin e pompave, duke arritur kapacitetin prej 150 m³/orë. Gjithashtu, sistemi i klorifikimit është instaluar dhe është plotësisht funksional, duke siguruar cilësi më të lartë të ujit.

 

Përlepnicë – Linja transmetuese dhe objektet e ujit
Është realizuar 1.5 km nga 3 km të tubacionit Ø630 të planifikuar. Sistemi i klorifikimit është përfunduar dhe operativ, ndërsa ndërtimi i rezervuarit të ujit me kapacitet 3,500 m³ është duke vazhduar sipas planit.

Baja – Stacioni i Pompimit
Punimet për renovim dhe zëvendësim të pajisjeve do të fillojnë së shpejti.

Stacioni i Pompimit “Burgu”
Punimet janë duke u zhvilluar dhe po ecin sipas planifikimit.

 

Forcimi i sigurisë së ujit në Kosovë

Këto investime reflektojnë bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Bankës Botërore dhe institucioneve vendore për forcimin e infrastrukturës së ujit në Kosovë, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në dobi të komunitetit.