Flows

FLOWS dhe Banka Botërore zhvilluan vizitë në terren gjatë javës së misionit

Gjatë javës së misionit të Bankës Botërore, ekipet e Programit FLOWS dhe të Bankës Botërore zhvilluan takime me institucione dhe donatorë, diskutime dinamike me palët e interesit, si dhe një vizitë në terren në rajonin e Gjilanit, me fokus në investimet dhe ndërhyrjet kryesore në sektorin e ujit.
Me hisedarët u diskutuan ecuria e Programit FLOWS, i cili përfshin shumë fusha të sektorit të ujit, në veçanti infrastrukturën kritike ujore, digat. Në kuadër të kësaj komponente, pas përfundimit të projektit për vlerësimin e sigurisë së digave dhe identifikimin e masave që duhet të ndërmerren, Banka Botërore shprehu interes edhe për masat në sistemin e alarmimit të hershëm dhe për masat prioritare të rehabilitimit të digave në Kosovë, projekte këto që tani janë në proces të vlerësimit.
Gjatë vizitës në terren, ekipi u takua me KRU Hidromorava, ku u diskutua progresi i aktiviteteve dhe nevojat për rehabilitimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë. Programi i vizitës përfshiu edhe rrjetin e ujësjellësit, ku punimet po vazhdojnë me dinamikë të mirë. Kjo u dha ekipeve mundësinë të shohin nga afër rezultatet e investimeve dhe të diskutojnë çështjet teknike dhe operative me palët relevante.
Ekipet ndaluan gjithashtu në lokacionin e Digës së Desivojcës, një nga investimet strategjike në kuadër të përpjekjeve për forcimin e sigurisë ujore në Kosovë.
Vizitat në terren janë pjesë e rëndësishme e misioneve të Bankës Botërore dhe të FLOWS, duke mundësuar vlerësimin e progresit, koordinimin ndërinstitucional dhe identifikimin e hapave të mëtejshëm për zbatimin e investimeve në sektorin e ujit.