Flows

Bio Nuts A – Histori suksesi nga Programi i Granteve për Mbrojtjen e Ujrave (WSGP)

Në kuadër të Programit të Granteve për Mbrojtjen e Ujrave (WSGP), i zbatuar nga FLOWS, po prezantojmë një tjetër histori suksesi që dëshmon ndikimin konkret të granteve të vogla në menaxhimin e qëndrueshëm të ujit dhe zhvillimin e bujqësisë moderne në Kosovë.

Bio Nuts A është një kompani e përkushtuar në prodhimin e arrave cilësore dhe aplikimin e praktikave bashkëkohore në bujqësi. Përmes mbështetjes së grantit nga WSGP, kompania ka realizuar investime të rëndësishme që synojnë sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me ujë për pemishten dhe rritjen e efikasitetit të ujitjes.

Investimet kryesore përfshijnë ndërtimin dhe zgjerimin e një rezervuari për mbledhjen e ujit, të veshur me geomembranë të posaçme, i cili grumbullon reshje, borë dhe ujë nga puset. Ky sistem siguron furnizim të qëndrueshëm dhe të përhershëm me ujë për pemishten, edhe gjatë periudhave me thatësirë.

Teknologji inovative për ujitje efikase

Në kuadër të projektit, Bio Nuts A ka instaluar sensorë inteligjentë të lagështisë dhe një sistem automatik të ujitjes, që mundëson shpërndarjen e ujit në mënyrë të mençur, të barabartë dhe efikase për çdo pemë. Këto zgjidhje teknologjike kontribuojnë në racionalizimin e përdorimit të ujit dhe në mbrojtjen e resurseve ujore.

Zbatimi i praktikave të qëndrueshme të menaxhimit të ujit ka ndikuar drejtpërdrejt në reduktimin e efekteve të thatësisë dhe në rritjen e rezistencës së pemishtes ndaj ndryshimeve klimatike.

Falë këtyre investimeve, pritet që rendimenti i pemishtes të rritet me 20–30%, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet për eksport dhe orientimin drejt prodhimit BIO. Kjo rritje kontribuon jo vetëm në qëndrueshmërinë ekonomike të biznesit, por edhe në zhvillimin e sektorit bujqësor në nivel lokal dhe kombëtar.

Projekti ka gjithashtu një dimension social, përmes organizimit të një seminari me komunitetin dhe fermerët lokalë. Gjatë këtij aktiviteti ndahen praktikat më të mira për menaxhimin e ujit, mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin e teknologjive moderne në bujqësi.

Një hap drejt bujqësisë së gjelbër në Kosovë

Kjo histori suksesi ilustron qartë se si investimet e zgjuara në ujitje dhe teknologji inovative, të mbështetura nga Water Stewardship Grant Program, përbëjnë një hap konkret drejt ndërtimit të një bujqësie më të gjelbër, më efikase dhe më konkurruese në Kosovë.