Flows

Publikimi i Raportit Fillestar të Studimit WRIPS shënon hap të rëndësishëm drejt planifikimit strategjik të burimeve ujore në Kosovë

U prezantua Raporti Fillestar (Inception Report) i Studimit të Përgatitjes së Investimeve në Burimet Ujore Kombëtare të Kosovës (WRIPS), një prej iniciativave kyçe që synon forcimin e planifikimit kombëtar të resurseve ujore, rritjen e sigurisë ujore dhe zhvillimin e projekteve të qëndrueshme investuese.

Në punëtorinë e organizuar me palët e interesit, konsorciumi zbatues italian SWS Consulting Engineering S.r.l. dhe ARS Progetti S.p.A. prezantuan rrjedhën e aktiviteteve që tashmë janë duke u zhvilluar, duke përfshirë:

  • rishikimin e dokumenteve ekzistuese dhe mbledhjen e të dhënave,
  • konsultimet me palët e interesit dhe koordinimin ndërinstitucional,
  • vlerësimin teknik të dokumenteve,
  • përmirësimin e metodologjisë dhe kornizës analitike të projektit,
  • dhe planin e punës për zbatimin e plotë të studimit 18-mujor.

 

 

Qëllimi kryesor i prezantimit ishte përmbledhja e bazës socio-ekonomike të përdorur në Raportin Fillestar, vlerësimi i përdorimit sektorial të ujit, si dhe identifikimi i sfidave aktuale të sigurisë ujore dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore në vend.

WRIPS nuk është vetëm një raport teknik, por një instrument strategjik që shndërron strategjitë dhe planet ekzistuese të ujit në projekte të matshme, ekonomikisht të justifikueshme, të financueshme dhe me rrezik të ulët mjedisor e social. Studimi do të përcaktojë prioritetet dhe sekuencimin e investimeve në sektorin e ujit për 10–15 vitet e ardhshme.

 

WRIPS përfshin një sërë komponentësh kyç, si:

  • vlerësimi hidrologjik dhe ndikimet klimatike,
  • bilancet ujore dhe skenarët sektorialë,
  • Llogaritë Kombëtare të Ujit (Water Accounts),
  • auditimin e masterplaneve ekzistuese dhe paketimin e projekteve,
  • SESA dhe përputhshmërinë mjedisore-sociale,
  • si dhe analizën e opsioneve të financimit dhe kapaciteteve institucionale.

 

 

Në kontekstin e presioneve klimatike dhe mungesës së kapaciteteve të magazinimit të ujit, WRIPS thekson nevojën për magazinim shumëqëllimor (furnizim, ujitje, mbrojtje nga përmbytjet, energji) dhe integrimin e zgjidhjeve të kombinuara “green-grey”.

Prezantimi u mirëprit nga përfaqësues të institucioneve të sektorit të ujit, ndërmarrjeve rajonale, ministrive përkatëse dhe Bankës Botërore, të cilët theksuan rëndësinë e studimit për krijimin e një qasjeje të koordinuar dhe të bazuar në analiza shkencore për menaxhimin afatgjatë të ujit në Kosovë.