FLOWS inicioi Fillimin e Implementimit të Kontratës së Punimeve të Pakos 2 të Hidromoravës, zgjerimin e Fabrikës së Ujit në Letnicë dhe rrjetit të ujësjellësit në Kamenicë.
Në takimin e përbashkët në KRU Hidromorava, u bë zyrtarisht dorëzimi i punishtes dhe fillimi i implementimit të kësaj kontrate, duke garantuar transparencë dhe mbarëvajtje profesionale të procesit. Të gjitha palët kryesore: projekti FLOWS si zbatues i fondeve, KRU “Hidromorava” si përfitues, kompania mbikëqyrëse si dhe kontraktorin kryesor Eren Insaat & AK JV e JV Hydro Ingeieure dhe iC Consulenten filluan dakordimin e rrjedhës së punimeve.
Fabrika për Trajtimin e Ujit në Letnicë dhe zgjerimi i rrjetit të ujësjellesit të Kamenicës ka rëndësi jetike për furnizimin me ujë të pijshëm për mijëra banorë të Anamoravës. Renovimi dhe zgjerimi i saj përfaqëson një projekt me prioritet të lartë strategjik për zbatimin e politikave ujore të Republikës së Kosovës.

Kontrata parasheh ndërtimin e një stacioni të ri për filtrimin dhe sedimentimin e ujit të patrajtuar, instalimin e një rezervuari të ri me kapacitet prej 1,700 m³, instalimin e sistemeve moderne për klorimin, dezinfektimin dhe monitorimin automatik, si dhe zhvillimin e një infrastrukture të mbyllur për menaxhimin e ujërave të zeza dhe llumit.
Qeveria e Kosovës ka marrë financim nga Banka Botërore për të mbuluar shpenzimet e Projektit Fostering and Leveraging Opportunities for Water Security (FLOWS) dhe po planifikon që një pjesë të këtyre mjeteve ti përdorë për pagesat në kuadër të kontratës për punimet ndërtimore për zgjerimin e kapaciteteve të trajtimit të ujit në Letnicë, Komuna e Vitisë.
Periudha e ndërtimit është dymbëdhjetë muaj.