Në Gjilan u mbajt një takim pune mes FLOWS, Kryetarit të Komunës Alban Hyseni, kompanisë publike KRU Hidromorava, kompanisë kontraktuese ALFA I dhe kompanisë mbikëqyrëse të punimeve.
Qëllimi i takimit: të sigurohet që projekti madhor për instalimin e rrjetit të ri të ujësjellësit të ecë me ritme të shpejta dhe pa pengesa.
Ku ka punë, ka gjithmonë sfida. Prandaj, gjatë takimit u diskutua edhe mbi ecurinë e punimeve për instalimin e rrjetit të ujësjellësit në qytet, si dhe mbi sfidat që mund të hasen gjatë zbatimit të projektit por edhe mbi ato të tejkaluara deri tani, për tu marë si shembull si ti çasemi bashkarisht sfidat e reja eventuale.
Kryetari i Komunës shprehu gatishmërinë e plotë për të ofruar mbështetje institucionale dhe ndihmë në çdo hap, me qëllim që projekti të realizohet në mënyrën më efikase dhe brenda afateve të parashikuara.
Bashkëpunim ndërmjet institucioneve lokale, kompanive kontraktuese dhe atyre mbikëqyrëse pritet të sjellë përmirësime të dukshme në infrastrukturën e ujësjellësit, duke rritur cilësinë e furnizimit me ujë për qytetarët e Gjilanit.
Ky investim, i zbatuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përmes projektit FLOWS dhe i financuar nga një kredi e Bankës Botërore, ka për qëllim të modernizojë rrjetin e ujësjellësit, duke garantuar një furnizim të qëndrueshëm, të sigurt dhe me cilësi të lartë për qytetarët e Gjilanit dhe zonave përreth.
Me përfundimin e projektit, Gjilani do të ketë një ujësjellës modern dhe efikas, i aftë të përmbushë kërkesat e sotme dhe të ardhshme për ujë të pijshëm. Ky investim do të rrisë cilësinë e jetës për qytetarët, do të sigurojë furnizim të pandërprerë me ujë dhe do të vendosë standarde të reja në menaxhimin e burimeve ujore në rajon.